Sveçla reagon për dhunën ndaj të moshuarës: Të sillen para drejtësisë të gjithë të implikuarit

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas publikimit të një videoje që shfaq dhunën që ushtron një infermiere ndaj një të moshuare në Pejë.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë”, ka shkruar Sveçla.

Ai tha se veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por se janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.

Sveçla bëri apel që të vihen para drejtësisë të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë sulm.

“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”.

Dhuna ndaj të moshuarës raportohet se ka ndodhur në një shtëpi private të të moshuarve në Pejë.