Sveçla reagon për kidnapimin e policëve, kërkon nga ndërkombëtarët ta rrisin presionin ndaj Serbisë

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka reaguar në lidhje me kidnapimin e tre policëve në veri të Kosovës.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, kërkoi nga ndërkombëtarët që ta rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të ndalin provokimet e saj.

“Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë por edhe të ndalë provokimet e saj”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai tha se Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarët policorë në shkelje të çdo marrëveshjeje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.

Pa asnjë dyshim, sipas tij, zyrtarët policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta.

“Sjellje të tilla kriminale të Serbisë nuk na ndalin në rrugëtimin tonë të forcimit të sovranitetit në vend”, ka shtuar ai.