Sveçla: Zyrtarët e korruptuar në Polici do të dalin para ligjit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo javë është e rëndësishme për VV-në dhe për Kosovën, duke marrë parasysh nevojat me të cilat ballafaqohet vendi.

Duke folur për qeverisjen e VV-së ai ka thënë se ata do ta respektojnë opozitën.

Sveçla ka thënë se dëshirojnë të bashkëpunojnë me ta për çështjet e rëndësishme por edhe në punët e përditshme.

Duke folur për pozitën e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai ka thënë se mandatin e kaluar ishte pjesë e Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, dhe sipas tij ishte e logjikshme që do ta mbulonte këtë fushë.

“Qëllimi im është që më të mirën në Polici ta bëjmë në spikamë, të gjitha ato dukuri negative që kanë karakterizuar punën e Policisë të ndalohen dhe kështu jo vetëm deklarativisht por në substancë Policinë ta bëjmë institucionin më të besuar. Ne kemi qenë në njohuri për këto ngjarje, opinioni e ka ditur që ekziston një problem për vjedhje të identitetit dhe rrjedhimisht ka qenë e pritshme të intervenohet në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Sipas tij, e gjitha fryma e ndryshimit ka ndikuar në përshpejtimin e reagimit të strukturave policore.

Duke folur për arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë, ai ka thënë se kjo nuk ka ndodhur me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje, por me vendosmërinë e qytetarëve për ndryshim.

Sveçla thotë se do të punojnë që puna e mirë e policisë të mos njolloset nga individë të caktuar.

“Edhe policia edhe MPB janë njohur në publik për skandale të ndryshme por çfarë është jashtëzakonisht e dëmshme është mos zbulimi i tyre dhe mosndëshkimi i tyre. Qëllim i ynë është që këto raste të zbulohen dhe të gjithë akterët të përjashtohen nga policia dhe të ndëshkohen nga ligji”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk do të jetë e lehtë por është e domosdoshme.

Sveçla ka thënë se presin raporte korrekte me drejtorin e Policisë. Ai ka thënë se nuk është e drejtë t’i përndjekin ata që nuk kanë mbështetje por se drejtësia duhet të vendoset në çdo rast.

Sipas tij, për vendosjen e Shpend Maxhunit në Polici, duhet të vendosë Prokuroria.