Tahiri bën thirrje për votim të trustit: Për interesa të kujt po punoni? Votojeni TRUST-in!

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u është drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke u bërë thirrje për votimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve të Trustit.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mohimi i qasjes dhe shfrytëzimit të një përqindjeje nga vet kontributdhënësit, është qasje nënshtruese në emër të barazisë dhe sigurisë sociale.

“Për interesa të kujt po punoni? Votojeni TRUST-in! Mjetet e Trustit janë para së gjjthash mjete të qytetarëve. Qeveria ka më shumë rol kujdestarues për to. Mohimi i qasjes dhe shfrytëzimit të një përqindje nga vet kontributdhënësit, është qasje nënshtruese në emër të barazisë dhe sigurisë sociale. Kjo qeveri as pas dy vitesh nuk po arrinë ta kuptoj se e vetmja rrugëdalje nga varfëria është zhvillimi ekonomik dhe njerëzor. Për interesa të kujt po punoni? Pse mos të lihet një periudhë 1 mujore për ata që duan ta tërheqin një pjesë të kontributit të tyre. Do ta kuptonit që 99% e qytetarëve do ta shfrytëzonte atë mundësi.” – ka shkruar ai.

Tutje Tahiri ka thënë se 51%-shi i para dy viteve po shkelë vullnetin e 99% të qytetarëve.

“Por ju e keni ndarë mendjen, dhe po ushtroni një dhunë të dyfishtë mbi njerëz. Po mohoni mjetet si dhe po dhunoni vullnetin e lirë. Krejt kjo në emër të asaj se ju po shihni dhe po dini se çfarë na pret pas 10, 15, 20 viteve, përderisa as sot e kësaj dite, nuk jeni të aftë ta definoni as vlerën e një koeficienti të pagës. 51% – shi i para dy viteve po shkelë vullnetin e 99% të qytetarëve. TURP!” – ka përfunduar ai.