Tahiri: Kurti e dëshmoi edhe sot se ka problem esencial me atë që ka prodhuar UÇK dhe liria jonë politike pas luftës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri tha se dy javë pas ngritjes së aktakuzave ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më në fund, lideri i VV-së, Albin Kurti gjeti kurajo për të folur rreth këtij zhvillimi.

Tahiri tha se përkundër kësaj, as sot, ai nuk fshehu dot logjikën e ngjashme me atë çfarë ka thënë tashmë për më shumë se një dekadë.

“Për shtatë vite, ai ka folur në Kuvend dëngllat e njëjta me ato që sot i mvishen drejtuesve të UÇK-së në aktakuzë. Atë çfarë e ka përkufizuar Prokuroria në Hagë si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, Albin Kurti e ka pasur gjuhë të përditshme ndaj figurave kryesore të luftës sonë për liri, kurdo që ka pasë një mikrofon para vetës.Dërdëllisja e sotshme si qëllim për të kamufluar dërdëllitjet e kamotshme, është tregues i gjykimit të mbrapshtë që ka Albin Kurti ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave drejtuese të saj. Mbi të gjitha, në këtë liturgji fundjave, Albin Kurti i dha vulë të plotë koordinimit si me pahir me logjikën që ndjek Serbia, se Gjykata Speciale është produkt i gabimeve tona politike”, tha Tahiri.

Ai shtoi gjithashtu se tashmë edhe zyrtarisht, protagonistët e angazhuar që në fillim rreth gjykatës, po flasin hapur atë që e dinë të gjithë, se ngjizja, mbështetja dhe pistat e akuzave për të cilat është ngritur kjo gjykatë e ka adresën në Rusi.

“Kurti ua atribuon këtë fakt pikërisht ish drejtuesve të UÇK-së. Por për Albinin si një dezertor që ka abstenuar nga historia, këto gjëra janë asgjë më shumë se oportunizëm për t’u hedhur në histori, aty ku nuk ishte hedhur me kohë.Ashtu siç e tha në fillim, se kjo ishte një konferencë e radhës, e jo një konferencë e domosdoshme si përgjigje ndaj zhvillimeve, edhe kësaj radhe, ai dëshmoi se është po i njëjti Albin që ka problem esencial me atë që ka prodhuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe liria jonë politike pas luftës”, shtoi ai.