Tahiri-Kurtit: Pasi ke fillu me ndryshu qëndrimet, ndrysho qëndrimet edhe për Trustin dhe Ligjin e Pagave

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e sotme ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së energjisë. Tahiri ka thënë se AAK i jep mbështetje marrëveshjes për energji, sepse e ndryshon situatën për të mirë.

Tutje, Tahiri kërkoi që kjo marrëveshje të monitorohet që të gjejë zbatim në terren.

Ndër të tjera, Tahiri kërkoi nga kryeministri Kurti të përgjigjet se si është e mundshme që VV refuzoi ta mbështesë rezolutën e AAK-së për sigurinë në vend, e cila përfshin kërkesën për plotësimin e agjendës kombëtare të sigurisë.

“Përkundër faktit që ju kryeministër në shtator të 2015, marrëveshjen për energji e keni quajtur si legalizim të Serbisë në Kosovë. Tani, nuk po jeni në gjendje të mbështesni një rezolutë që është në interes të vendit”.

“Ndryshimet që kanë ndodhur përgjatë qeverisjes suaj, reflekton një kurs të ndryshimit të qëndrimeve tuaja politike. Andaj, kërkesa jonë është që pasi po i ndryshoni qëndrimet, t’i ndryshoni qëndrimet në temat që e prekin qytetarin direkt, si; Ligji i pagave, në uljen e akcizës së naftës, në mundësinë e lejimit për qytetarët që të tërheqin kursimet e tyre në Trust”, u shpreh Tahiri.

Në fund, Tahiri kërkoi nga Kurti që të reflektojë edhe në gjendjen e rëndë ekonomike, ku sipas Tahirit, ka mbi 600 projekte kapitale që janë bllokuar për shkak të rritjes së çmimeve dhe si të tilla rrezikojnë të dështojnë.