Tasholli: LVV dhe LDK janë ideologjikisht të papajtueshme

“Përtej idealizmit, LVV e ka kuptuar se ka të bëjë edhe me burokraci. Ata e kanë magjepsur elektoratin dhe çmagjepsja e tyre do të jetë e dhimbshme”.

Analisti politik, Ismail Tasholli, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë dy parti ideologjikisht të papajtueshme.

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, Tasholli ka thënë se përveç ideologjisë, Kurti e ka kuptuar se do të ballafaqohet edhe me burokraci.

“Nëse e shohim koalicionin LVV-LDK nga prizmi i një përgjigje që ka dhënë Albin Kurti kur e quan këtë koalicion si e keqja e domosdoshme, ne shohim se ka dallime drastike midis këtyre dy subjekteve politike”.

“LDK e do Kosova-centrizmin; ndërsa VV dëshiron referendum për bashkim kombëtar. Ideologjikisht këto dy subjekte politike janë të papajtueshme, por të mos harrojmë se demokracia është ajo që mendjet racionale i fut në kalkulime”.

“Përtej idealizmit, LVV e ka kuptuar se ka të bëjë edhe me burokraci. Ata e kanë magjepsur elektoratin dhe çmagjepsja e tyre do të jetë e dhimbshme”.

“Ajo që e vret këtë qeveri është dialogu me Serbinë. Unë shumë herë kamë thënë se nuk do ta kenë atë luks dhe do të duhet të merren edhe më dialogun. LDK është më konstruktive sa i përket dialogut; ndërsa VV është pak më komplekse sepse disa terminologji që i përdorë janë të tejkaluara dhe kjo mund të jetë rrezik për qasjen e tyre”.

“Mos të harrojmë se Kurti po konvertohet dhe se çdo konvertim është i dhimbshëm. Mund të themi se e kemi një Albin sot dhe do ta kemi një tjetër nesër. Ne kemi pasur individë dhe struktura shumë më radikale sesa Albin Kurti; ndërsa sot e shohim se ata janë rehabilituar brenda institucioneve. Edhe Kurti mund të bëjë këtë ndryshim radikal”.