Teksti i plotë i projekt rezolutës VV – LDK për negociatat me Serbinë, nuk përmendet taksa

Grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë propozuar sot në Kuvend të Kosovës një rezolutë që do të autorizonte qeverinë që të bëjë përgatitje për negociata me Serbinë.

Në rezolutën e propozuar shkruhet se Kosova është e përkushtuar për bisedime politike mes Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultojë me njohje reciproke.

Në pikën e dytë shkruhet se Kuvendi i Kosovës thekson se Kushtetuta është sovraniteti shtetëror, e se integriteti territorial dhe karakteri shoqëror janë të pacenueshme.

“Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, të dialogojë, apo të negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës propozojnë:

DRAFTREZOLUTË

1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.