Tentativë grabitje në Durrës! Pronari i shtëpisë e dikton, hajduti e plagos me armë zjarri (VIDEO)

DURRËS -Një tentativë grabitje në një banesë ka përfunduar me një të plagosur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:30 në lagjen Nr.13 në zonën e Plazhit në qytetin bregdetar. Një person i armatosur, ende i paidentifikuar është futur për të grabitur banesën e Rexhep Tereziut. 42-vjeçari pasi ndjeu zhurmën, e diktoi dhe doli në oborr duke u përballur me hajdutin, të cilit i ka kërkuar që të largohet dhe është përpjekur për ta ndaluar duke u përleshur.

Në këtë moment, hajduti e ka qëlluar me armë zjarri duke e plagosur në këmbë. Pas të shtënave, autori është larguar me shpejtësi duke mos marrë asgjë. I zoti i shtëpisë që u plagos, është dërguar në spital dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia njofton se ka ngritur postblloqe dhe po vijon kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. “Janë ngritur pika kontrolli dhe me lëvizje për të kontrolluar dhe identifikuar personat e dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po administron çdo provë sado të vlefshme që do ti shërbejnë zbardhjes së ngjarjes, identifikimit dhe kapjes së autorit” njofton policia.

Ndërkohë që dy ditë më parë një pikë dhënie kredie e Kredo.al po në qytetin e Durrësit ra pre e grabitjes, ku një person i maskuar me shall dhe me kapele, me pistoletë në dorë, pasi kërcënoi punonjësin arriti që të merrte 100 mijë lekë.

Shqiptarja.com