Tërmeti në Kroaci, reagon presidenti Thaçi: FSK e gatshme të ofrojë ndihmë

0
208

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është solidarizuar me Kroacinë, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Zagrebin mëngjesin e sotëm.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme të ofrojnë ndihmë emergjente për Kroacinë.

Posti i plotë i Thaçit:

“Në këtë kohë kur e gjithë bota po përballet me virusin COVID-19, tërmetet si ky i sotmi në Kroaci e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Shteti i Kroacisë uroj ta ketë kaluar me pasoja sa më të vogla këtë tërmet që goditi Zagrebin. Si President i Republikës së Kosovës shpreh solidaritetin e plotë të popullit tonë me popullin mik kroat. Kurse, të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Thaçi.

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit me thellësi 10 kilometra, ka goditur veriun e Zagrebit të dielën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme të ndërtesave, veturave si dhe daljen e njerëzve në rrugë nga paniku i madh.

Autoritetet njoftuan se një fëmijë ka pësuar lëndime në kokë pas shembjes së një pullazi derisa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në disa lokacione.