Tërmkolli: Boll me arrogancë e greva

Melihate Tërmkolli thotë se me mos fillimin e vitit shkollor po vëhet në lojë jeta e fëmijëve.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, Tërmkolli thotë se zhvillimi i procesit mësimor e arsimor në radhë të parë është detyrë e Qeverisë.

Në anën tjetër, Tërmkolli shkruan se është koha që mësuesit të gjejnë modalitet për ta detyruar Qeverinë që të plotësojë kërkesat e tyre dhe të merret seriozisht me çështjen e arsimit.

Tërmkolli paralajmëron se nëse mësimi nuk fillon nga java tjetër, vendi mund të futet në ujëra të turbullta.

Postimi i plotë:

Boll me arrogancë, boll me grevë, boll me drama!

Dramat, dramatizimet e viktimizimet personale me grevën në arsim duhet të ndalen.

Kur vëhet në lojë jeta dhe prosperiteti i fëmijëve, e ardhmja e tyre, nuk ka heronj, ka vetëm antiheronj. Viktima janë fëmijët tanë.

Një udhëheqje e shkërmoqur e Sindikatës së Arsimit dhe një Qeveri kapricioze e arrogante, e paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e saj, nuk mund t’i sakrifikojnë më tutje fëmijët në “luftën” e tyre, për interesat e tyre. Zhvillimi i procesit mësimor e arsimor është në radhë të parë detyrë e Qeverisë, MASHT-it.

Në situatën në të cilën gjendemi, mbase është koha që vetë mësuesit e profesorët të gjejnë modalitete për ta detyruar Qeverinë që të plotësojë kërkesat e tyre dhe të merret seriozisht me çështjen e arsimit, pa dëmtuar fëmijët.Po nuk filloi mësimi nga kjo e Hane, vendi mund të futet në ujëra të turbullta nga të cilat vështirë mund të dilet pastaj.