Tetë alpinistë të zhdukur në Himalaje

Një grup prej tetë alpinistësh është zhdukur përderisa po ngjiteshin në malin e dytë më të lartë në Indi. Ekipi, në të cilin ndodhen katër alpinistë nga Britania e Madhe, u nisën për ta pushtuar majën Nanda Devi East në Himalaje më 13 maj.

Kur ata nuk u kthyen në kampin bazë sipas planit që kishin, një ekip i kërkim-shpëtimit u nisën për t’i kërkuar ata. Sidoqoftë, zyrtarët lokalë kanë paralajmëruar se reshjet e mëdha të shiut dhe borës po e pengojnë operacionin e kërkimit.

“I kemi aktivizuar burimet tona për t’i gjetur alpinistët pasi ata nuk u kthyen në kampin bazë, por moti i keq po e pengon operacionin”, tha Vijay Kumar Jogdande, zyrtar i rajonit Pithoragarh.

Një helikopter i forcave ajrore indiane pritet të përdoret të dielën në mëngjes. Në mesin e alpinistëve janë katër alpinistë britanikë, dy amerikanë, një australian dhe një indian.

Ata ishin duke u udhëhequr nga alpinisti britanik me përvojë, Martin Moran, kompania e të cilit ka organizuar shumë ngjitje në Himalaje.

Ka pasur raportime të ndryshme për datën e planifikuar të kthimit të këtij grupi në kampin bazë të tyre. Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme Britanike tha se ata janë në kontakt me autoritetet indiane pas raporteve se në këtë grup ka shtetas britanikë, shkruan “BBC”.