Thaçi: Është koha që Kurti dhe grupi i tij të përballen me drejtësinë për aktivitetet kriminale dhe politike

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një vizitë që kishte në Odën Ekonomike të Kosovës, ka komentuar edhe për zhvillimet politike në vend.

Presidenti Thaçi duke u përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të kryeministrit në detyrë lidhur me kërkim dorëheqjen e tij, ka thënë se Kurti ka ardhur me yryshin për ta shkarkuar presidentin, por po shkon para tij.

Thaçi ka thënë se tash është koha që Kurti dhe grupi i tij, Sveçla, Vitia dhe Haxhiu duhet të përballen me drejtësinë dhe të japin përgjegjësi për shkeljet e tyre dhe për aktivitetet kriminale politike të kundërligjshme që kanë pasur gjatë kësaj kohe.

“Nuk do të komentoj asgjë sot për vendimin e Kushtetueses. Ai(Kurti) ka ardhë me yryshin e shkarkimit të presidentit, mirëpo e pata deklaru edhe atëherë që ai do të shkojë para presidentit. Është koha edhe zoti Kurti dhe e tërë grupa e tij të përballen me drejtësinë për shkak të aktiviteteve kriminale dhe politike”, tha presidenti.

Thaçi në këtë konferencë për media foli edhe për raportet e tij të ftohta me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak me të cilin tha se nuk ka kontakte.

Presidenti po ashtu tha se është mirë që të bëhet një diferencim i partnerëve strategjik, pasi që sipas tij të dy të dërguarit e BE-së vijnë nga vende të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.