Thaçi flet pas takimit me këshilltarët e Merkelit dhe Macron

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar për media pas takimit që ka pasur me këshilltarët e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Thaçi para mediave ka thënë se me të dërguarit e Merkelit dhe Macronit kanë biseduar për situatën politike në Kosovë, teksa ka shtuar se është zhgënjyese se tema e liberalizimit nuk u dëgjua nga ta, transmeton Telegrafi.

“Përfundova takim me të dërguarit e kancelares Merkel e gjithashtu edhe të presidenti francezes Macron, me të cilët diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor, fokusin evropian për të ardhmen, aktualitetin por edhe të perspektivës. Për fat të keq as sot nuk u dëgjua asgjë për liberalizim e vizave për Kosovën, madje po të hapja si temë as nuk do të diskutohej, kjo është zhgënjyese për qytetarët e Kosovës, kur para pese vitesh BE ka qenë i gatshëm të merr vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mos uniteti i BE-së, është i padrejtë në rrafshin e aktualitetit, por edhe gabim strategjik që po bën BE në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Delegacioni franko-gjerman përbëhet nga këshilltarët kryesorë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, Jan Hecker dhe Emmanuel Bonne.