Thaçi kërkon seancë që t’iu adresohet deputetëve pas vizitës në ShBA

Presidenca e Kosovës ka dërguar shkresë zyrtare në Parlament, ku ka kërkuar që presidentit të vendit Hashim Thaçi t’i organizohet një seancë plenare për ditën e nesërme, me fillim nga ora 16:00.

Kjo seancë është kërkuar të mbahet me qëllim që deputetët e Kuvendit të Kosovës të njoftohen lidhur me vizitën e realizuar nga Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimet të cilët ka zhvilluar atje.

Në këtë shkresë zyrtare drejtuar në Sekretariatin e Kuvendit u kërkua që të bëhen të gjitha përgatitjet për mbajtjen e kësaj seance lidhur me këtë çështje.

Ndryshe nga Presidenca e Kosovës u shpreh gatishmëri që Thaçi t’i drejtohej deputetëve edhe në fund të vitit të kaluar, siç parashihet me Kushtetutë, mirëpo kjo seancë nuk ishte organizuar, pasi që Kuvendi nuk ishte plotësisht i konstituuar.

Duhet përkujtuar që presidentit Thaçi gjatë qëndrimit në Amerikë, saktësisht në Shtëpinë e Bardhë iu bë e qartë se taksa 100% e vendosur nga Qeveria e Kosovës në drejtim të produkteve serbe dhe të Bosnje Hercegovinës duhet larguar plotësisht.

Thaçi gjithashtu mbrëmë pati edhe një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.