Thaçi thirrje për unitet pas ftesës për takim në ShBA

Presidenti Hashim Thaçi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë thirrje për unitet pas ftesës së Grenell që Kosova dhe Serbia të takohen më 27 qershor në Washington.

Statusi i plotë i Thaçit:

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces. HTH