The Times: Rusia mund ta pranojë Kosovën, por si shpërblim kërkon rritjen e ndikimit në Ballkan

Hyrja e Maqedonisë në NATO do të thotë mbyllje e një beteje të gjatë, mirëpo palosja e hartës në rajon, në mënyrën që do t’i kënaqte të gjithë akterët, edhe më tej shihet gati si detyrë e pamundur.
Kështu vlerëson gazeta prestigjioze britanike “The Times”.
Gazeta shkruan se në fotografinë e fundit të përbashket të aleatëve të NATO-s, për dallim nga herat tjera, buzëqeshjet janë të sinqerta, ndërsa dukej ndjenja e lehtësimit, sepse me nënshkrimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do të thotë fitore e rrallë e Perëndimit në rajon i cili sërish është gjendur në vijën e parë të përplasjeve të fuqive të mëdha.
Duke e përshkruar ish Jugosllavinë si mozaik i përbërë nga shtatë pjesë – gjashtë ish republikat plus Kosova, Times shkruan se dy dekada pas përfundimit të luftërave ballkanike, BE dhe NATO po i joshin shtetet e reja duke investuar miliarda dollarë dhe duke iu premtuar anëtarësim, me shpresë që me këtë do të garantojnë paqe dhe zgjidhje të kufijve, transmeton Ballkani.info.
Me hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe me siguri hapjen e shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE, pjesët veriore dhe jugore të mozaikut – Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë përmbyllur, por mbetën Kosova, Serbia dhe Bosnja, si zemra e rajonit dhe vendet në të cilat edhe më tej ekziston rreziku i përleshjeve, vlerëson Times.
Gazeta kujton se gjatë vitit të kaluar presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq kanë biseduar pas dyerve të mbyllura për marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve, ose siç e quajnë ata “korrigjim i kufijve”, megjithatë duket se “vizatimi i ri i kufijve nuk është aq i thjeshtë”.
Times thekson se, nëse arrihet marrëveshja, Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës, duke e hapur rrugën drejt anëtarësimit në BE, kështu që këtë plan e ka mbështetur përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Gazeta megjithatë vlerëson se “plani kosovar u jep jetë të re ambicieve ndarëse të presidentit të Republikës Serbe, Millorad Dodik”.
“Nëse fillohet me tregimin e pakënaqësisë, është pak e besueshme se kjo do të përfundojë: problemet rreth të gjithë kufijve të ish Jugollsavisë mbesin” dhe “mozaiku prej shtatë pjesëve përnjeherë e fiton potencialin që të shpërthejë edhe më shumë”, thuhet tutje, transmeton Ballkani.info.
Sipas Times, “zjarri më shumë po i fryjnë Turqia, Kina, vendet e Gjirit, dhe ajo më e rëndësishmja, Rusia, e cila po kërkon rritjen e ndikimit në Ballkan, ku përzierja nga jashtë ka çuar tek ajo që në shekullin 20-të të fillojë rënia e Perandorisë Osmane dhe të përfundojë me nacionalizmin e përgjakur etnik”.
“Derisa Kina dhe vendet e Gjirit në masë të madhe merren me tregti dhe rritjen e pasurisë, presidentët Rexhep Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin për mision kanë përfitimin e zemrave dhe ndikimin politik, kështu që ata të dytë kanë ndërtuar lidhje me udhëheqësit nacionalistë lokalë retorika e të cilëve dhe ambicia, pak kanë ndryshuar që nga vitet e 90-ta”, shkruan gazeta.
Times rikujton se gjatë vizitës së muajit të kaluar të Putinit në Serbi ai ka thënë se nuk ka zgjidhje për Kosovën pa Rusinë dhe duket se ai ka dalë si garantues i procesit kosovar.
“Edhe pse Kremlini deri më tash ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës, analistët thonë se do të jetë i gatshëm ta ndërrojë kursin nëse shpërblimi është rritja e ndikimit”, thuhet tutje në tekstin e Times. /Ballkani.info