Tirana, destinacioni i preferuar i turistëve skocezë, polakë dhe gjermanë (video)

Tirana, kryeqyteti i larmishëm po mirëpret përherë e më shumë turistë të huaj të cilët zgjedhin të shijojnë bukuritë dhe atraksionet turistike tashmë jo duke qëndruar vetëm një ditë, por edhe më shumë.

Transformimet që ka pësuar Tirana e kanë bërë atë të jetë në listën e destinacioneve europiane.

Turistët e huaj që gjenden në Tiranën gjatë këtyre ditëve janë nga vende të largëta si Skocia, Polonia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjë kjo e cila vërteton se tashmë kryeqyteti është një pikë kyçe e itenerareve turistike për këta turistë.

Gjatë një vëzhgimi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare grupet e turistëve i gjen kryesisht tek sheshi “Skënderbej”, te “Kalaja e Tiranës” dhe te “Pazari i Ri” i cili tashmë është një vend mjaft i frekuentuar, pasi turistët e huaj aty mund të shijojnë dhe gatimet  tradicionale shqiptare.

Grupet e turistëve në Tiranë i sheh me aparate fotografike në duar ku fokusojnë detaje interesante nga kryeqyteti, duke filluar nga objektet e kultit dhe muzetë që tregojnë të kaluarën tonë.

Turistët nga Skocia, Polonia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara dhanë përshtypjet e tyre për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ku veçuan mikpritjen, si dhe vendet të cilat tregojnë historinë dhe vlerat e popullit tonë. Gjithashtu ata veçuan dhe kuzhinën tonë tradicionale si mjaft të shijshme.

Shumica e turistëve vinin për herë të parë në Shqipëri dhe u duket shumë bukur këtu, pasi përveç kryeqytetit shumica e tyre kishin vizituar dhe vende të tjera si Berati, Gjirokastra dhe Shkodra, të cilat i vlerësojnë si vende mjaft të bukura dhe të këndshme. Ata gjithashtu u shprehën të bindur që do rikthehen sërish pasi Shqipëria ofron shumë gjëra për t’u eksploruar dhe shijuar nga ana e tyre.

Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transformimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës./atsh