Trump ka befasur të gjithë me rritjen ekonomike

Ekonomia amerikane i ka kapërcyer parashikimet e analistëve në vend duke u rritur me plot 3.2 për qind në tre muajt e parë të vitit.

Shifrat paraprake të Ministrisë së Tregtisë tregojnë se eksportet e larta dhe investimet publike arritën t’i sigurojnë vendit një rritje me plus 1 për qind krahasuar me tremujorin e kaluar, duke thyer rekordin edhe ekonomik të katër viteve më parë.

Ndërkaq, u ngadalësuan ndjeshëm shpenzimet e konsumatorëve, të kompanive private dhe investimet në sektorin e ndërtimtarisë. Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili shpreson te klima e mirë ekonomike për t’i rritur shanset e rikonfirmimit në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, i quajti rezultatet të jashtëzakonshme.

“Shumë njerëz mendonin se do të rriteshim më pak se 2 për qind, por tani jemi 3,2 për qind. Çmimet e karburanteve po bien, ekonomia jonë po rritet fort, dhe kemi një inflacion shumë, shumë të ulët. Jemi ekonomia numër 1 në botë dhe nuk kemi rival të afërt. Faleminderit shumë!

“Rritja ekonomike e SHBA-së ka qenë një nga themelet e fushatës elektorale të presidentit Trump, i cili ka premtuar se do i shërbejë klasës punëtore amerikane përmes krijimit të vendeve të punës dhe pagave më të larta.Ndërsa në horizontin ekonomik nuk pritet recesion në muajt e ardhshëm, ekspertët kërkojnë të tregohet kujdes për barrën fiskale të krijuar nga stimuli prej 1.5 trilionë dollarësh që administrata amerikane miratoi dy vite më parë.