Turqia urdhëron arrestimin e 176 ushtarakëve për shkak të lidhjeve me Gulenin

Autoritetet turke kanë dhënë urdhër për arrestimin e 176 pjesëtarëve të ushtrisë për shkak të dyshimeve se kanë lidhje me rrjetin që qëndron prapa puçit të dështuar të vitit 2016. Lajmin e bëri të ditur zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit.

Në mesin e ushtarakëve që pritet të arrestohen janë një kolonel, dy kolonelë të lartë, pesë majorë, shtatë kapitenë dhe 100 lejtnantë, të cilët janë të angazhuar në forcat tokësore, ajrore dhe detare, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Ankaraja thotë se kleriku mysliman me vendqëndrim në Shtetet e Bashkuara, Fetullah Gulen, ishte organizatori i puçit të 15 korrikut të vitit 2016. Sidoqoftë, ai e ka mohuar këtë akuzë.

Tri vjet pas këtij puçi, më shumë se 77 mijë persona janë burgosur dhe po presin të gjykohen, ndërsa 150 mijë shërbyes civilë, ushtarakë dhe të tjerë janë shkarkuar përkohësisht ose përgjithmonë nga puna.

Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar këtë shtet për numrin e madh të personave të arrestuar, duke thënë se presidenti Erdogan e ka përdorur puçin e dështuar për t’i shtypur kundërshtarët që shprehin pakënaqësi ndaj pushtetit të tij.

Në anën tjetër, Ankaraja i ka arsyetuar veprimet e veta për shkak të rrezikut ndaj sigurisë kombëtare, duke u zotuar se do ta shkatërrojë plotësisht rrjetin e Gulenit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.