U refuzohet kërkesa/ Kthehen 36 shqiptarë nga Franca e Belgjika (video)

RINAS-Vijojnë operacionet e riatdhesimit të shqiptarëve që kanë kërkuar azil apo kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen.

Operacioni i radhës u zhvillua ditën e djeshme dhe ishte i  organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex-in, dhe me mbështetjen e eskortës së Policisë Kufitare shqiptare duke riatdhesuar 36 shqiptarë.

Shqiptarëve, 31 nga Franca dhe 5 nga Belgjika u ishte refuzuar kërkesa për azil. Policia e Shtetit deklaron se operacionet e riatdhesimit do të vijojnë edhe në javët e ardhshme, teksa Franca ka shprehur shqetësimin për kërkesat për azil nga shqiptarët.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë për të gjithë shqiptarët që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në hapësirën Schengen, pasi shanset për të fituar azil në vendet e BE-së janë zero.