Ujësjellësi “Prishtina” siguron shfrytëzuesit për cilësi të ujit të pijshëm

Një vëllim i madh i punës dhe një kontroll ditor bazik dhe periodik, bën që uji i pijshëm nga Ujësjellësi ‘Prishtina’ të jetë i sigurt 100% për konsum njerëzor.

Kështu thuhet në një komunikatën e kësaj kompanie. Qëllimi kryesor i Departamentit të cilësisë së ujit të pijshëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, sh.a. është organizimi dhe funksionimi i tij si departament për kontrollin e cilësisë së ujit bazuar në standardet cilësore aplikative ( U. A .16 / 2012 ) dhe ato europiane (Udhëzimi –Direktiva 98/83/EC) mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit. “Kjo direktivë përcakton dallimet në mes të parametrave mikrobiologjikë dhe atyre fiziko- kimikë. Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj.

Departamenti i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë pikë së pari mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqeneve, puseve dhe lumenjve”, thuhet në komunikatën e kompanisë.

Sipas kësaj komunikate, laboratorët tanë të cilët janë të akredituar shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC.

“Sipas planit ditor, javor dhe mujor për monitorimin e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU ” Prishtina ” sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq (Kanali Ibër-Lepencit) si dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi , Graçanicë dhe Vragoli si dhe pesëmbëdhjetë pikat në rrjetin e qytetit , në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues përcjellim kualitetin e ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi”.

“Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Listën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr.16/2012 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”, është thënë në komunikatë, duke u shtuar se numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko – kimike në gjashtë muajt e ardhshëm supozohet të jetë afro 6.850 mostra të ujit. “Me monitoring të shpejtë, bazik dhe vijues çdo ditë do te bëhet mostrimi dhe analiza e ujit që prodhohet dhe distribuohet nga fabrikat e ujit në Albanik ,Badovc dhe Shkabaj (Ibër-Lepenc) nga objektet prodhuese Kastriot dhe Kroni, pastaj monitorimi javor i ujit që prodhohet në objektet prodhuese Shtime, Lipjan, Drenas dhe Podujevë si dhe analiza e ujit në tre rezervuarët në qytet. Numri i mostrave të ujit për pije për analizën fiziko-kimike në vitin 2019 planifikohet të jetë afro 13.650 mostra të ujit. Paralelisht me laboratorin e akredituar të KRU “Prishtina”, sh.a. analizat bëhen çdoherë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës, thuhet në njoftim.