Vazhdon aksioni: Suspendohet edhe një zyrtar policor e arrestohet një në MPB

Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka vazhduar aksionin e vet, përfshirë zyrtarët e saj që, sipas burimeve të gazetës Koha Ditore, ka pasur nën hetim që 3 muaj, me ç’rast dyshohet se janë të përfshirë nën bashkëpunim me zyrtarin e ARC-së, Arben Mustafën, që kanë marrë ryshfet dhe kanë keqpërdorur detyrën për të krijuar favore në disa raste që të dyshuarit i kanë pasur nën ndikim.

Një zyrtar policor i Krimeve Ekonomike është suspenduar sot gjatë ditës, por burime të Kohës Ditore tregojnë se së shpejti merret vendimi për arrestim.

Edhe një tjetër zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, është arrestuar sot.

Mbrëmë Drejtoria e Krimeve Ekonomike së bashku me IPK-në, ka bastisur shtëpinë e policit Lutfi Menxhiqi, me ç’rast dyshohet se janë gjetur prova që ndërlidhen me rastin që e ka nën hetim drejtoria e Krimeve Ekonomike.

Nga hetimet, rezulton se edhe hetuesi Skënder Xhema, mund të jetë i përfshirë, mirëpo rrethanat ndaj tij do të sqarohen gjatë hetimit në proces. Ai është suspenduar, por priten hetime tjera rreth tij.

Për dyshime për korrupsion, mbrëmë është arrestuar hetuesi i krimeve ekonomike, Lavdim Osmani. Pak më vonë, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe policin Lutfi Menxhiqi, nën dyshime për korrupsion, marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare.