Vazhdon shkëlqimi i Endri Çekiçit, shënon të dy golat e fitores (video)

Vazhdon forma e shkëlqyer e Endri Çekiçit në Slloveni. Sulmuesi shqiptar është kthyer në një protagonist absolut me skuadrën e Olimpia Ljubjanës, ndërsa edhe në ndeshjen e kësaj jave kundër Tabor Sezana, ishte autori i dy golave.

Në pjesën e parë, 22-vjeçari mori përsipër ekzekutimin e një goditje dënimi nga një distancë e konsiderueshme, megjithatë kjo nuk e pengoi pogradecarin të linte të palëvizur portierin kundërshtar me trajektoren që mund të prehej vetëm në rrjetë. Ndërkaq, pak minuta më pas, Çekiçi kishte mundësin për të dyfishuar rezultatin dhe të realizonte golin e dytë personal, por u tregua i pasaktë nga pika e bardhë.

Megjithatë, përtej penalltisë së humbur, në fraksionin e dytë të ndeshjes sulmuesi rregulloi shënjestrën dhe në minutën e 47 realizoi golin e dytë të ndeshjes dhe të dytin personal. Këtë sezon, Çekiçi ka dhënë një kontribut të madh për Ljubjanën, e cila ka marrë vendin e parë në kampionat dhe lufton për titullin kampion në Slloveni, duke dueluar me Mariborin. Sakaq, Çekiçi është në listën e pritjes për ndeshjet e Kombëtares ndaj Andorrës dhe Francës.