Vdes një person në Kamenicë nga rrokullisja e traktorit

Të mërkurën në Kamenicë një person ka humbur jetën si pasojë e rrokullisjes së traktorit të cilin ishte duke e drejtuar, bën të ditur Policia e Kosovës.

Rasti ka ndodhur pasditen e së mërkurës në fshatin Kranidell të Kamenicës, ku në rrethana të panjohura traktori që ishte në lëvizje është rrokullisur dhe drejtuesi i tij ka mbetur nën traktor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, njësiti i zjarrfikësve si dhe mjeku kujdestar i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kamenicë, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Po ashtu, policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, ku me vendimin e tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Lidhore.