Velipoja mezi pret hapjen e sezonit turistik dhe turistët nga Kosova, pritet ulje e çmimeve

Teksa kulmi i sezonit të plazhit po afrohet operatorët e shërbimit në Shqipëri ende janë të paqartë mbi mbarëvajtjen e sezonit këtë vit.

Ministria e Turizmit, në bashkëpunim me atë të Shëndetësisë, kanë shpërndarë protokollet e higjienës për parandalimin e COVID-19, ndërsa strukturat akomoduese ende nuk kanë nisur zbatimin e tyre.

Për të diskutuar më shumë mbi këtë temë ishte në një lidhje direkte me “Euronews Albania” njëri nga operatorët turistikë të zonës së Velipojës, Lekë Marku.

Teksa tha se operatorët turistikë të zonës i kishin marrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me protokollin e sigurisë në kuadër të situatës nga COVID-19, Marku zbuloi edhe përparësitë që ka plazhi i Velipojës në kushtet ku ndodhemi.

“Në respekt të plotë me masat për situatën në të cilën ndodhet vendi, java e fundit ka shërbyer për t’u përgatitur që çdo gjë të jenë në rregull për fillimin e sezonit. Velipoja ka disa avantazhe në krahasim me disa plazhe të tjera, pasi natyra ua ka falur dhe njerëzit e kanë përdorur mirë natyrën. Me bregdetin e gjerë, rreth 12 km, 6 km nga të cilat janë të përdorshme, siguron një akomodim të mbi 100 mijë turistëve. Këtu bëhet më e thjeshtë me kushtet e reja, pasi shumica e shërbimeve të lokale e restoranteve bëhet në ambient të hapur”, tha Marku.

I pyetur lidhur me çmimet që do të aplikohen këtë vit, duke u nisur edhe nga ajo që publikohet në disa medie për shifra abuzive, Marku tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në Velipojë, ku sipas tij çmimet jo vetëm që nuk do të rriten, por nisur nga situata ekonomike për shkak të virusit po diskutohet me operatorët e tjerë për të siguruar një çmim më të pranueshëm.

Klientët më të rëndësishëm për Velipojën mbeten shtetasin kosovarë, të cilët, siç tha ai, mezi po presin të hapen kufijtë.

“Kosovarët janë oksigjeni që i japin vlerë turizmit në Velipojë, ata janë shumë të interesuar, u kemi thënë se nuk do të ketë rritje të çmimeve dhe sapo të hapen kufijtë do t’i presim si miq, si gjithmonë”, tha ai.