Vendet e garantuara për diasporën dhe kalkulimet e partive politike

Një ditë më parë PDK-ja prezantoi pakon për diasporën.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se partia e tij do të rezervojë tre vende për diasporën, por një premtim i tillë nga subjektet tjera po shihet taktizim politik.

I pari i AAK-së ka thënë se në një të ardhme do të ishte mirë që diaspora të ketë vende të garantuara në Kuvend.

“Në të ardhmen ndoshta do të mund të ndryshojmë ndonjë nen në Kushtetutë apo Ligjin e zgjedhjeve në mënyrë që te kemi vende të garantuara për diasporën ashtu siç kemi për komunitetet”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ramush Haradinaj.

Nga LVV e LDK, premtimet e PDK-së po shihen si taktizim në kohën e zgjedhjeve.

“Natyrisht se ky është një prodhim i radhës i PDK-së në përpjekje për të mashtruar elektoratin. Por qytetarët tashmë e kanë kuptuar se mashtrime të tilla janë bërë shumë herë prej 20 vitesh”, deklaroi deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani.

“Secili subjekt politik e në veçanti, institucionet e Kosovës e kanë për obligim të vlerësojnë rolin e diasporës në të gjitha proceset e shtet ndërtimit të Republikës së Kosovës në angazhimin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këto momente para fushatës duhet të jemi të sinqertë me diasporën. Unë mendoj se duhet të ketë përfaqësim për diasporën, mirëpo me Kushtetutë dhe me ligje të Kosovës për momentin nuk kemi vende të rezervuara për diasporën”, deklaroi deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj.

Aktualisht, diaspora llogaritet të jetë një ndihmë e madhe për vendin.