Vendet shqiptare i marrin maqedonasit, me propozim të partive shqiptare

0
211

Emërimi i Lazar Elenovskit si i dërguar special në selinë e NATO-së në Bruksel, si propozim i partisë shqiptare në pushtet, BDI ka ngjallur reagime të shumta në opinionin e Maqedonisë shkruan portal, Amerika-Radio.

Ekspertët konsiderojnë se në këtë pozitë të rëndësishme më mirë do të ishte të emërohej ndonjë shqiptar, siç është profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka.

Sipas tyre Reka me kapacitetin dhe përvojën e tij shumëvjeçare si ambasador do të kishte më shumë sukses dhe padyshim se në takime do të hapte edhe çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ekspertët janë të mendimit se Blerim Reka gjatë kohës kur ka qenë ambasador në Bruksel ka qenë më zëshmi për të artikuluar interesat e shqiptarëve të Maqedonisë,sidomos për të drejtat e tyre të cilat diskriminohen nga pala maqedonase.

Blerim Reka është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë dhe ka qenë ambasador i Maqedonisë në Bruksel. Ndryshe, në mbledhjen e fundit, Qeveria e Maqedonisë me propozim të BDI-së emëroi Lazar Elenovski si të dërguar për integrimin e vendit në NATO, me seli në Bruksel, shkruan portali Amerika-Radio. Elenovski më herët ka qenë ministër i mbrojtjes, ndërsa si kuadër i BDI-së së fundmi ishte ambasador i Maqedonisë në Belgjikë dhe Luksemburg.