Vendimi i Supremes për Gucatin e Haradinaj pritet pas shtatorit

Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt po e presin me kureshtje vendimin e Gjykatës Supreme në Hagë. Kjo pasi nëse edhe Supremja e ulë sado pak dënimin për dy udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës, atëherë kjo do të mund të sillte lirimin e të dyve.

Kështu ka deklaruar për Nacionalen avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman. Ai ka thënë se vendimi i Apelit nuk pritet para shtatorit.

“Përgjigja e Konsoliduar e Prokurorisë ndaj ankesës sonë u dorëzua më 3 korrik 2023 dhe përgjigja jonë do të dorëzohet deri më 3 gusht 2023. Pas kësaj, Kolegji i Gjykatës Supreme ka 60 ditë për të nxjerrë vendimin e tij. Në ankesën tonë ne kemi kërkuar seancë gojore, por gjykata ende nuk ka vendosur për këtë. Ne nuk parashikojmë që Kolegji i Gjykatës Supreme të nxjerrë një vendim shumë përpara fillimit deri në mes të shtatorit”, ka thënë Cadman.

Avokati i Haradinajt thekson për Nacionalen se pritjet e tij janë që Haradinaj të lirohet menjëherë. Sipas tij, secila ulje e dënimit, nënkupton lirimin.

“Ne presim që ankesa të përcaktohet në mënyrë të drejtë dhe të pavarur nga Kolegji i Gjykatës Supreme dhe se i vetmi rezultat i drejtë do të ishte prishja e vendimit të Kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe urdhërimi i lirimit të menjëhershëm të z. Haradinaj nga paraburgimi. Kolegji i Gjykatës Supreme, në parim, mund të urdhërojë rigjykim ose të zvogëlojë dënimin. Çdo ulje e dënimit do të nënkuptonte përfundimisht lirimin e z. Haradinaj nga paraburgimi. Megjithatë, përderisa ne kërkojmë një lirim të plotë, mund të spekulojmë vetëm për rezultatin e apelit”, deklaroi Toby Cadman.

Nasim Haradinaj e Hysni Gucati ishin dënuar fillimisht me nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim. Pas ankesës në Gjykatën e Apelit, dënimi u reduktua në 4 vjet e e tre muaj. Duke ditur se të dy janë arrestuar në shtatorin e vitit 2020, atëherë një pjesë e madhe e dënimit është mbajtur.

Si rezultat, Toby Cadman ka bërë të ditur se ata do të kërkojnë lirimin e parakohshëm të Nasim Haradinajt.

“Z. Haradinaj do t’i ketë arritur së shpejti dy të tretat e dënimit të tij, prandaj kualifikohet për lehtësim të dënimit, ose lirim të hershëm. Ne jemi në procesin e përgatitjes së kërkesës dhe unë do të takohem me z. Haradinaj këtë javë për ta diskutuar më tej çështjen. Pikëpamja jonë është që ka bazë të fuqishme për ta përkrahur kërkesën e tij për lirim të hershëm”, ka thënë avokati Toby Cadman.

Gjykata Speciale kohë më parë kishte caktuar edhe penalin që do të merret me këtë rast. Kryetare e këtij paneli është caktuar e para e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Pastaj gjyqtarja Christine van den Wygnaert dhe Daniel Fransen.

Krerët e OVL-UÇK-së ishin dënuar për ndikim në drejtësi, dëmtim të provave e frikësim të dëshmitarëve. Kjo ndërlidhur me dosjet të cilat ishin publikuar në shtatorin e vitit 2020 në disa konferenca për media.

Aty, Gucati e Haradinaj theksuan se po e dëshmojnë bashkëpunimin e Prokurorisë së Hagës me Serbinë.