Veseli e Qupeva, përfaqësues nga Kosova sot në Berlin për marrëveshjen e mundshme me Serbinë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se Xhemë Veseli dhe Ramë Qupeva do të jenë përfaqësues të Kosovës në Berlin për marrëveshjen e transportit hekurudhor me Sebrinë.

Përmes një njoftimi për media, MIT njofton se dy personat në fjalë, kanë qenë të ngarkuar me marrëveshje ndërkombëtare edhe në të kaluarën.

Njoftimi i plotë i Ministrisë:

Ju njoftojmë se ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të hënën (27.01.2019), ka autorizuar përfaqësuesit e MIT që të jenë pjesë e negociatave për marrëveshjen e mundshme për hekurudhat me Serbinë.

Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore, janë dy zyrtarët e ministrisë, kompetent mbi hekurudhat, të ngarkuar me marrëveshje ndërkombëtare edhe në të kaluarën.

Ndonëse institucionet tona janë të gatshme në vazhdimësi për kontribut në stabilitet dhe fqinjësi të mirë, theksojmë se çfarëdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës./gazetametro.net