Vetëvendosje shkel ligjin – Organizon trajnime për maturantë

Lëvizja Vetëvendosje – dega në Podujevë përmes një njoftimi të datës 7 qershor të këtij viti, ka ftuar gjithë maturantët e kësaj komune që të marrin pjesë në trajnimet e 7 drejtimeve të ndryshme të cilat do të organizohen për provimin e maturës në Universitetin e Prishtinës, shkruan Gazeta Blic.

Për këtë, thotë Vetëvendosje, “njoftojmë të gjithë maturantët e Shkollave të Mesme në Komunën e Besianës se Lëvizja VETËVENDOSJE! në Besianë organizon trajnime për provim pranues në Universitetin e Prishtinës për vitin akdemik 2019-2020”Mirëpo, i gjithë ky organizim po del të jetë i jashtëligjshëm. Të paktën, kështu ka thënë zyrtari për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi.

Ai për Gazetën Blic tha se “Komuna e Podujevës, respektivisht Drejtoria e Arsimit, nuk ka ndonjë informatë zyrtare se ndonjë subjekt i paautorizuar, në këtë rast parti politike, është duke organizuar trajnim për përgatitjen e nxënësve për provim pranues në drejtime të ndryshme të Universitetit të Prishtinës.”

“Legjitim dhe legal është vetëm mbajtja e mësimit (qoftë edhe plotësues, apo trajnimeve të ndryshme) në institucionet arsimore, të licencuara dhe certifikuara nga Ministria e Arsimit. Çdo formë tjetër e mbajtjes së mësimit apo trajnimeve nga persona të paautorizuar-të palicencuar dhe jashtë institucioneve arsimore, nëpër seli të partive, apo organizatash të tjera, është jo legale dhe sanksionohet me ligj”, ka thënë Elezi.

Ndryshe, Fakultetet për të cilat do të organizoheshin këto trajnime janë: Fakultet Ekonomik, Fakultet Juridik, Inxhinjeri/Shkenca kompjuterike, Mjekësi e Përgjithshme, Kimi, Shkenca Politike, Filozofi dhe Sociologji.Përveç kësaj, VV njofton se trajnimet janë falas dhe të interesuarit do të mund të paraqiteshin në zyrat e degës së Vetëvendosjes në Podujevë. Aty ishin lënë edhe numrat e telefonit për të gjithë të interesuarit

“Të gjithë të interesuarit mund të paraqitën në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, në rrugën ’’Agron Rrahmani’’ apo në numrat e telefonit +38344297973 dhe +38344340616 ose na shkruani në faqen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Besianë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.Ndryshe, VV edhe vitin e kaluar pati bërë një organizim të tillë i cili u pat kundërshtuar edhe nga Ministria e Arsimit.