Visar Arifaj: Partia e Fortë do të ekzistojë sa të jetë pushteti dhe paraja

Visar Arifaj, politikani që ngjalli interesim të madh në zgjedhjet komunale të vitit 2013 me sarkazmat e tij, është rikthyer në ekranet televizive.

Arifaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka folur për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ta shuar subjektin e tij politik, Partia e Fortë.

“Nuk na brengos vendimi i KQZ-së. Ligjet dhe rregullat janë diçka që ne i zbatojmë kohë pas kohe, por jo detyrimisht. Ekzistenca e Partisë së Fortë nuk varet nga listat e KQZ-së, nuk varet nga ligjet për zgjedhje, nga ligjet e Kosovës. Partia e Fortë ekziston për aq sa ekziston politika, për aq sa ekziston pushteti dhe për aq sa ekziston paraja”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari Legjendar ka thënë se mospjesëmarrja e subjektit të tij politik në zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë ndëshkim për qytetarët pasi këta të fundit nuk kanë treguar shumë entuziazëm për Partinë e Fortë.

“Ata të marrin mësim që kur e kanë Partinë e Fortë në fletëvotim të mos e humbin atë rast. Besoj me kalimin e viteve qytetarët e kanë vërejt mungesën e alternativës”, ironizoi më tej Visar Arifaj.