Vjen reagimi i parë nga Vetëvendosje pasi Haradinaj e Thaçi emëruan shefin e AKI-së e Inspektorin e Përgjithshëm

Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaci për emërimin e shefit të AKI-së e inspektorit të përgjithshëm.

Bajqinovci ka shkruar në Facebook se kapja e institucioneve të sigurisë po vazhdon.

Ai ka shkruar se PDK dhe AAK i kanë kapur brutalisht dy institucione të sigurisë duke emëruar në to eksponentë e vet në pozita kyçe.

Ai ka kujtuar se Kreshnik Gashi kishte qenë sekretar në MPJ në kohën kur Hashim Thaci kishte qenë Ministër i Punëve të Jashtme.

“PDK dhe AAK i kapin brutalisht dy institucionet e sigurisë siç janë AKI dhe Inspektoriati i AKI-së duke i emëruar eksponentët e vet në pozita kyqe. Ish- sekretari i MPJ-së Kreshnik Gashi në kohën kur Hashim Thaçi ishte minister i jashtem u emërua drejtor i AKI-së. Burim Ramadani zyrtar i AAK-së emërohet Kryeinspektor i AKI-se. Kapja e institucioneve me njerëz partiak po vazhdon. Këto vendime do të zhvlerësohen me ardhjen e qeverisë Kurti”, ka thënë ai.

Lajmin për emërimin e Gashit dhe Ramadanit i kanë bërë sot nga presidenca dhe zyra e kryeministrit në detyrë.

Ndryshe, ditë më parë dy partitë që me shumë gjasë do të udhëheqin qeverinë e ardhshme, LDK dhe VV kishin paralajmëruar se emërimet në AKI do të bëhen në qeverinë e tyre.