Von Cramon: Shpresoj se do të ketë një vendim përfundimtar për heqjen e vizave në 2021

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon po deklaron se një vendim përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën të ketë në vitin 2021.

Von Cramon po thotë se Kosova ka plotësuar kushtet qysh para dy vite e gjysmë më parë dhe se nuk është faji i shtetit kosovar.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të lobojë më shumë te shtetet skeptike, si Franca dhe Holanda, sa i përket procesit të liberalizmit të vizave.

“Shpresoj se do të ketë një vendim përfundimtar për heqjen e vizave në 2021, kjo varet vetëm nga Këshilli për t’i dhënë dritën e gjelbër përfundimtare Kosovës. Nuk është faji i Kosovës, sepse vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike gati dy vjet e gjysmë më parë, por kjo nuk do të thotë që Kosova nuk mund të bëjë më shumë për të përshpejtuar këtë proces. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në dialog me ato shtete anëtare, të tilla si Franca, të cilat hezitojnë për momentin. Kosova duhet ta luftojë më shumë korrupsionin dhe krimin e organizuar”, deklaroi Viola Von Cramon për RTV Dukagjinin.

Kujtojmë që Komisioni Evropian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.