Vrasja e gruas në Prishtinë, Tahiri i AAK-së: Kambana e fundit për të vepruar si shoqëri e si shtet

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shteti dhe shoqëria, familja e individi, duhet të gjejnë mënyrat e duhura për t’i mposhtur dukuritë kriminale.

Tahiri ka thënë se vrasja e një gruaje, nënës së fëmijëve, duhet të jetë këmbena e fundit e alarmit.

“Vrasja monstruoze e një gruaje, nënës së fëmijëve, duhet të jetë këmbena e fundit e alarmit që të veprojmë fuqishëm për t’ua ndalur turrin kriminelëve dhe abuzuesve që priren të na cenojnë lirinë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka shtuar se është koha për ballafaqim të vërtetë.

“Është koha e fundit që shteti, shoqëria, familjet dhe individi, ta gjejnë forcën dhe mënyrat e duhura që t’i mposhtin këto dukuri në rrënjë, në momentin e parë që ngrenë krye. Si shoqëri kemi arritur t’i bëjmë ballë një armiku me mendësi e veprime dehumanizuese, duke mbrojtur familjen e shoqërinë. Është koha për ballafaqim të vërtetë”, është shprehur Tahiri.