Vushtrria gati ta fitojë betejën me Covid-19, 21 të shëruar nga 24 rastet pozitive në këtë komunë

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, ka bërë të ditur se janë shëruar 14 qytetarë nga koronavirusi në këtë komunë, nga 24 sa kanë qenë pozitive.

Më herët janë shëruar edhe shtatë persona, kështu numri i të shëruarve ka arritur në 21.

“14 qytetarë të Vushtrrisë sot janë shëruar nga #coronavirus Të gjitha masat që bashkë i kemi aplikuar, çdo sakrificë që secili nga ju e keni bërë, ja ka vlejtë. Është shuar vatra në Pestovë, është shuar vatra në Vushtrri, janë shëruar 12 qytetarë nga Smrekonica, 1 nga Pestova dhe 1 nga Vushtrria”, tha Tahiri në një postim në Facebook.

Ai falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe kërkoi të vazhdojnë me kujdes në ditët në vijim.

“Le të të ruajmë njëri tjetrin edhe Zoti do të na ruaj secilin nga ne.
Tani do të mendojmë për lehtësim të masave për qytetarët dhe biznesin në bashkëpunim me institucionet qendrore”, ka shkruar Tahiri.

Ai po ashtu kërkoi nga Ministri i Shëndetësisë që Smrekonica të hiqet nga karantina që sonte si dhe Samdrexha po ashtu duhet të largohet si burim i infektimit.

“Megjithatë përderisa në qytete tjera ka shtim të rasteve, as Vushtrria nuk gëzohet, ne lutemi për shërimin e të gjithë të prekurve në të gjitha qytetet e Kosovës.Ju lutem #rrinshpi mos dil pa nevojë urgjente, mbaje distancën”, tha ai.

Sot në Kosovë u konfirmuan edhe 17 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 780 numrin total të të infektuarve.