Ministrisë së Punës i kërkohet ta tërheq tenderin që la pa punë 400 punëtorë

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSPK) ka kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që të anulojë tenderin e ri për mirëmbajtje dhe siguri, pasi kështu kanë mbetur pa punë 400 punëtorë të sektorit privat.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat(SPSP), Jusuf Azemi tha se përkundër premtimeve të Qeverisë Kurti se paga minimale do të rritet, ka ndodhur e kundërta, pasi me tenderin e ri është ofruar pagë bruto prej 200 euro.

Ai në një konferencë për media ka përmendur një mori pakënaqësish të sektorit privat dhe kërkesat e tyre për qeverinë.

Mes tjerash, ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të pranojë kërkesat e sektorit privat dhe të nënshkruajë kontratën kolektive.

“Shqetësimi kryesor për momentin është largimi i 400 punëtorëve të sektorit privat nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të cilëve më 30 maj, disave u është thënë konfirmuar që më mos të fillojnë me punu dhe disave vetëm u është thënë që nuk mund të shkojnë në vendin e punës. Këta punëtorë kanë punuar në zyrat e MPMS në nivel komunal, ku kanë bërë mirëmbajtjen e këtyre objekteve. Këta punëtorë pa fajin e tyre, nga 1 qershori më nuk janë në listat e pagave për punët që i kanë kryer për 20 vjet. Shkak i humbjes së vendit të punës është tenderi i përsëritur teknik, por edhe tenderi i ri i cili është vendosur për t’i kryer këto shërbime. Me tenderin e ri nuk mund të punësohen më shumë se 70 punëtorë dhe rreth 330 punëtorë do të mbesin rrugëve pa një mbështetje. Ministri e Punës, tërhiqe tenderin sepse po krijon raste sociale në emër të asaj se po don me e ruajtë buxhetin e Kosovës”, tha ai.

Ai parashtroi një numër të konsiderueshëm pyetjesh për kryeministrin Albin Kurti.

“Përderisa Qeveria Kurti na ka premtuar vitin e kaluar 350 euro, dhe këtë vit pagë 250 euro dhe pagesë kontribute që i bie diku 290 euro, ne iu bëjmë me dije se MPMS ka rënë në pagën 170 euro. Ky është dokumenti ku Ministria e Punës ka vendosur në tender pagat e punëtorëve të cilët kryejnë shërbime, 200 euro bruto e që në fakt i bie 100 euro. Ne i’u kemi gëzuar ndryshimeve kur na kanë premtuar, por këto ndryshime po janë të disfavorshme për sektorin privat të Kosovës. Z. Kryeministër, pas shumë kërkesave dhe deklarimeve, na intereson kur do të nënshkruash kontratën kolektive për punëtorët në përgjithësi, e në veçanti sektorin privat, për të cilën para zgjedhjeve ka trumbetuar se hapi i parë do të jetë nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Azemi tha se Ministria ka paraparë ekipe lëvizëse, që i bie që pastrimi i objekteve të bëhet më rrallë, gjë që sipas tij, nuk bënë dhe nuk guxon të jetë kështu pasi objektet nuk mund të pastrohen çdo ditë.

Ai foli edhe për rastet e vdekjeve në vendin e punës, për çka tha se kanë kërkuar që të formohet fondi special.

“Këtë vit kemi 8 raste të vdekjes në vendin e punës dhe është shqetësuese. Ju e dini që as Ministria e Punës, as Inspektorati nuk kanë as problemin më të vogël me këto raste. Ne kemi kërkuar që t’iu jemi më afër këtyre punëtorëve dhe të kemi një fond special… Sot na njoftuan që kemi punëtorë teknikë në QKMF që për 7 vite radhazi janë pa kontrata punë. Këtë ua ka mundësuar vet shteti[…]Deri më tani, për punëtorët e sektorit privat jo që kemi një avancim, përkundrazi, kemi një degradim të fuqisë punëtore në Kosovë”, tha Azemi.

Kreu i SPSK-së, tha se janë diskriminuar edhe punëtorët teknik në institucionet arsimore, pasi nuk kanë marrë shtesat prej 100 euro, teksa foli edhe për 800 punëtorë teknikë që punojnë në kampin Bonsteel në Ferizaj, të cilët siç tha ai nuk kanë marrë paga për 20 vjet.