VV i acaron edhe më shumë raportet me ShBA-të, iu kundërpërgjigjet: “Çështja e dinarit i takon Kosovës”

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, në deklarimin e saj pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka folur lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në adresimin për media, Kusari-Lila ka thënë se komunikimi me aleatët po vazhdon, por se kjo është çështje e Kosovës.

“Komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera vazhdon. Por konsideroj se është çështje e Kosovës dhe Kushtetutës. Në raport me ndonjë çështje përmbajtjesore apo vlerash, askush nuk thotë se në Kosovë duhet të ekzistojnë dy valuta”, ka thënë ajo, transmeton sinjali.

Kusari Lila ka thënë se rregullorja e re e BQK-së nuk ka pasur dallime në parim, por vetëm e ka bërë diferencën me afatin kohor të implementimit.

Kusari – Lila ka folur edhe për procedurat pas nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe. Ajo ka thënë se procedurat mund të marrin fund në përfundim të stinës së pranverës.

“Aktualisht KQZ si organi i vetëm zgjedhor po bën verifikimin e nënshkrimeve. Të gjitha fazat janë të parapara me rregulloren në fuqi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Mund të them se në momentin kur të ka verifikim të mirëfilltë, bëhen publike dhe caktohet një proces tjetër që është votimi i mosbesimit të kryetarëve në katër komunat në veri, të cilat duhet të kenë 50+1 vota të qytetarëve dhe pas verifikimit të tyre caktohen proceset zgjedhore”, ka thënë ajo.