Walker: Librin për Reçakun po e shkruaj para se të shkoj në botën tjetër

“Librin për masakrën e Reçakut po e shkruaj dhe po provoj ta përfundoj para se të shkoj në botën tjetër”.

Kështu ka deklaruar ish-Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, për Insajderin kur është pyetur rreth librit të tij të kujtimeve për Reçaku, për të cilën qeveria kosovare ndau 70 mijë euro për botimin e tij.

“Qenka interesante, s’paskam dëgjuar”, tha Walker kur u pyet për ndarjen e këtyre fondeve, derisa tha se do të niset për në Kosovë për të marrë pjesë në datën përkujtimore të 15 janarit për Masakrën e Reçakut.

“Do të jetë një libër i vetëm, përshkrime të përjetimeve të mia të ngjarjeve në Reçak, të atij krimi. Do të jetë një përmbledhje e asaj”, na tha Walker.

Në lidhje me rëndësinë e botimit të këtij libri, William Walker kujton se Masakra e Reçakut ishte pikë kthesa historike e cila lëvizi tërë Aleancën e Atlantikut të Veriut për të ndërhyrë në Kosovë kundër regjimit gjenocidial të Sllobodan Millosheviqit.

“Rëndësia është se Kosova është një shtet i ri në qendër të Evropës dhe nuk mendoj se do ishte bërë ashtu siç u bë nëse masakra e Reçakut nuk do të kishte ndodhur dhe reagimi ndërkombëtar të mos kishte qenë ai që ishte, aq fuqishëm. Solli luftën e NATO-s, që mendoj që askush atë kohë po e mendonte, e cila erdhi më së shumti si rezultat i reagimit pas masakrës së Reçakut”, tha ai.

“Mendoj se Qeveria në Kosovë dhe njerëzit që kam takuar gjatë 23 viteve gjithmonë më kanë pyetur se a do të shkruani libër për këtë ngjarje të rëndësishme, dhe pikërisht këtë po e bëj”, tha Walker.