Walker për modelin kroat të Asociacionit: Mund të jetë më i mirë, por më së miri është të mos ketë fare Asociacion

‘Republikë Serbe’ në Kosovë “jo se jo”, por edhe as model kroat për Asociacionin “nuk ka kurrfarë nevoje të ketë”, ka thënë ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker, në një bisedë me Nacionalen. Ndonëse thotë se e kupton që “më i mirë do të ishte një model kroat” ai thotë se modeli më i mirë “është të mos ketë fare” një strukturë të tillë. Sepse sa i përket pakicës serbe të Kosovës Walker vlerëson se ata gëzojnë të gjitha të drejtat tashmë, e madje “janë edhe të tejmbrojtur”.

Këto komente ai i bëri duke folur rreth takimit të fundit të Nivelit të Lartë në Bruksel, ku u shpalosën dy vizione diametralisht të kundërta për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe: njëra nga Ekipi Menaxhues që u refuzua kategorikisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si “në themel anti-kushtetues…dëshirë e zjarrtë për ‘Republikë Serbe’ në Kosovës’; dhe tjetri, një “draft-Vizion” i frymëzuar sipas modelit kroat i përpiluar nga pala kosovare.

“Unë nuk shoh asnjë nevojë që të ketë njëfarë strukture sipas asnjërën nga ato dy propozime (modelin e Ekipit Menaxhues dhe modelin kroat të Kurtit). Është e qartë që nuk dua të shoh diçka që i ngjan Republika Srpska-s. Kjo do të ishte rezultati më i keq i mundshëm. Modeli kroat do të ishte më i mirë nëse do të vendosnit çfarëdo lloj Asociacioni për një minoritet, por nuk shoh nevojën që të ketë Asociacion sipas asnjërës prej tyre, për t’i dhënë status Asociacioni një minoriteti sido që i ngjitet emri”, na tha William Walker.

Në lidhje me atë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë edhe si qëndrim të tyre sa themelimi i Asociacionit do të jetë edhe pikënisja e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe se pa të nuk do të ketë lëvizje para, Walker s’ka shumë për të thënë; përveç, të thotë se ky Asociacion është i panevojshëm.

“Kështu po mendojnë Gabriel Escobar, mbase Departamenti i Shtetit dhe qeveria amerikane. Po ju jap mendimin tim që nuk shoh kurrfarë domosdoshmërie për këtë; minoritetet, serbët, tashmë të mbi-mbrojtur. Nëse Escobar dhe qeveria amerikane mendojnë se mosbërja e Asociacionit e shkatërron mundësinë për të pasur marrëveshje, ky është mendimi i tyre. Por, sa për mua, unë nuk shoh domosdoshmëri për një Asociacion të tillë”, tha Walker për Nacionalen.

Deklaratë për të Pagjeturit

Më 2 maj përveç diskutimeve për Asociacionin, u miratua edhe Deklarata për Personat e Pagjetur. Wallker këtë e përshëndet dhe e quan të rëndësishme sa i përket ripajtimit në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Për mua me rëndësi qenka që Deklarata për të dyja palët janë pajtuar në zgjidhjen e çështjes për personat të cilët janë të zhdukur. Kjo është shumë e rëndësishme për pajtimin në atë të ardhem. Kjo Deklaratë që sapo ma lexuat ju tingëllon shumë mirë. Atëherë vimë te pjesa ku thuhet ‘përfshirë ata të zhdukur me forcë’. Njerëzit që zhduken janë rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë”, tha ai.