Xhaçka në familjen e “Dëshmores së atdheut” Hasanaj: Humbje e madhe për të gjithë ne (foto)

Niset për në Shqipëri trupi i nëntetares Zerife Hasanaj

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, vizitoi sot familjen e nëntetares Zerife Hasanaj pas kthimit nga Letonia.

Gjatë vizitës në familje, ministrja Xhaçka ngushëlloi familjarë duke u shprehur se “dhimbja juaj është edhe e jona. Jeni pjesë e familjes së madhe ushtarake. Do keni mbështetjen tonë për çdo nevojë”.

“Ndarja nga jeta e Zarifes është humbje e madhe për të gjithë ne. Zarife Hasanaj shpallet “Dëshmor i atdheut””, tha Xhaçka.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “trupi i nëntetares është nisur për në Shqipëri. Në bazën Camp Adazi në Letoni pak më parë u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence””.

Nëntetarja Hasanaj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbetën të plagosur edhe komandanti i kontigjentit, major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj./atsh