Xhafer Gashi reagon pasi u kap i dehur gjatë orës policore dhe kërcënoi policët

Kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, ka reaguar për ngjarjen e cila ka ndodhur në mesnatën në mes 15 dhe 16 shkurtit në qytetin e Obiliqit, ku policia e kishte nxjerrë nga kafiteria.

Gashi në një komunikatë adresuar mediave, ka thënë se publikimi i raportit policor ka qenë i njëanshëm, e që sipas tij, kjo përmban shkelje të ligjeve në fuqi në mbrojtjen e konfidencialiteti.

Ndryshe, Gashi ishte kapur nën ndikimin e alkoolit i kishte thyer rregullat anticovid dhe nuk iu kishte bindur organeve të rendit për ta zbatuar orën policore.

Reagimi i plotë:

Të nderuar,

Fillimisht me lejoni të ju njoftoj se komuna e Obiliqit si institucion i vënë në shërbim të qytetarëve dhe unë si kryetar komune, kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me institucionet e sigurisë, në veçanti me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Stacionin Policor në Obiliq, të cilët i falënderoj për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm në ruajtjen e sigurisë në territorin e komunës së Obiliqit.

Prandaj, jo vetëm zyrtarët policor të Obiliqit por edhe çdo polic i cili shërben në territorin e Kosovës, ka qenë dhe do jetë gjithmonë i respektuar për mua,

Për hir të korrektësisë dhe opinionit të gjerë, lidhur me shkrimet e publikuara gjatë ditëve të vikendit, dëshiroj të ju njoftoj se në këto shkrime qëndrojnë shumë të pavërteta dhe se këto shkrime janë totalisht tendencioze dhe me qëllime të dëmtimit të imazhit tim politikë, kjo dëshmohet përmes publikimit të një raporti policor të njëanshëm me përmbajtje të pavërtetë nëpër portale dhe media, e që besoj se kjo që përbën shkelje të rënda të ligjeve në fuqi në mbrojtjen e konfidencialiteti.

Për më tepër, ne do të kërkojmë sqarime nga organet kompetente rreth këtij raporti.