Xhavit Haliti: Do të ketë Asociacion pa kompetenca ekzekutive

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

E për deputetin Xhavit Haliti, që njëherësh është edhe zv/kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, kjo çështje veçse është e mbyllur.

Ai për Front Online thotë se do të ketë Asociacion pa kompetenca ekzekutive.

“Edhe Escobar si përfaqësues i drejtpërdrejtë i presidentit të SHBA-së, edhe BE-ja janë përcaktuar dhe janë deklaruar që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, dhe nuk duhet të ketë qeveri brenda Kosovës. Duke parë qëndrimet e mëparshme të Escobarit dhe BE-së, çështja e Asociacionit është e përfunduar, dhe që neve na mbetet vetëm me përshëndet qëndrimin e tyre sa i përket kompetencave ekzekutive dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai për Front Online.

Haliti thotë se janë Kurti e Vuçiqi që po e mbajnë “peng” këtë situatë.

“Kjo çështje unë besoj se do të jetë kështu e përmbyllur, por linja nacionaliste e mbajtur nga Vuçiqi dhe Albin Kurti në Kosovë është ushqim për ta forcuar pushtetin personal, dhe për ta mbajtur prapë për një kohë të gjatë, do thoja situatën e pa definuar”, deklaroi Haliti për Front Online.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, është e tensionuar.

Barrikadat e ngritura më 10 dhjetor bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi policia arrestoi ish-zyrtarin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.