Zbardhet plani i opozitës për Tiranën, ja çfarë do ndodhë në disa qendra votimi (Dokumenti)

Pritej që incidentet të ishin vetëm në zonat, ku bashkitë kanë për kryetarë kandidatë të opozitës, por plani i 30 qershorit prek edhe Tiranën.

Sipas burimeve nga Partia Demokratike, kjo e fundit ka kërkuar leje në Polici për të protestuar nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të 30 qershorit në 5 shkolla, aty ku në fakt janë disa qendra votimi.

Vendi i përzgjedhur ka vetëm një qëllim pengimin e votuesve për të shkuar në qendrat e votimit dhe rritja e tensionit tek ata qytetarë që kanë zgjedhur të votojnë në këtë datë.

Nuk dihet ende nëse policia ka dhënë apo jo leje, por nga shkresa që e disponon Gazeta Shqip, thuhet se do të jenë rreth 1 mijë protestues dhe persona përgjegjës 50 të tillë.

Ndërsa drejtues i protestës sipas shkresës është Ervin Minarolli kryetar i Degës së Partisë Demokratike për në njësinë numër 10.

Gjithashtu, bëhet e ditur se edhe degë të tjera lokale të Partisë Demokratike kanë dërguar kërkesa të tilla në polici, të paktën për të qenë në rregull me ligjin, por përgjigja mbetet nga vetë strukturat e policisë.

Gjasat janë që kjo e fundit të mos pranojë për protesta të tilla, për shkak të angazhimeve në një ditë të ngarkuar, sikurse është ajo e zgjedhjeve.