Zbulohet shtatorja e dëshmorit Artim Jashari në Mitrovicë

Sot në Mitrovicë u zbulua shtatorja e dëshmorit Artim Jashari, me ç’rast u vlerësua lart vepra e tij për lirinë e Kosovës.

Zbulimi i shtatores që u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, u bë në 21 vjetorin e rënies së tij, ndërsa përveç familjarëve, morën pjesë përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë të Artim Jasharit, përfaqësues të organizatave të luftës, si dhe qytetarë të Mitrovicës dhe më gjerë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se njerëzit të cilët i dolën zot atdheut bëjnë krenarë secilin shqiptar. Ai ka bërë thirrje të gjithë udhëheqësve institucionalë, pa dallim përkatësisë partiake, që për shkak të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, të bashkohen më shumë se kurrë dhe të punojnë për të mirën e qytetarëve.

Duke folur në emër të qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Bedri Hamza, sqaroi se asnjëherë dhe në asnjë rast nuk ka fjalë ekuivalente të cilat e përshkruajnë dhe shpjegojnë veprën e dëshmorëve dhe të heronjve.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka bërë të ditur se liria nuk do të ishte e garantuar pa luftë dhe pa trimërinë e dëshmorëve e heronjve.

Në anën tjetër, në emër të familjarëve, vëllai i dëshmorit, Kastrioti, duke falënderuar pjesëmarrësit për prezencën e tyre, tha se frymëzimi i Artimit gjithmonë ka qenë në luftën dhe përpjekjet maksimale të Adem e Hamëz Jasharit, në idealin kombëtar dhe në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Ndryshe, pas krismave që u dëgjuan herët në mëngjesin e 6 majit të vitit 1998 pranë stacionit të autobusëve, ku mbetën të vrarë tre policë serbë, qyteti i Mitrovicës u zgjua me oshtimë nga automjetet e policisë, derisa pak kujt po i shkonte ndërmend se aksionin ndaj policisë serbe e kishte kryer një djalë i ri mitrovicas, që vinte nga Prekazi i Adem Jasharit. /KosovaPress/