Zëdhënësi i KQZ: Vetëm një vendim i formës së prerë nga Gjykata i përjashton kandidatët nga e drejta për të garuar

Gjatë ditës së sotme ushtruesja e detyrës e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani pritet të ftojë në takim partitë politike për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar Qeverinë e Hotit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi tha për Euronews Albania se organizmi i zgjedhjeve për një periudhë kaq të shkurtër është padyshim një sfidë për këtë institucion, teksa shtoi se KQZ-ja e Kosovës është sprovuar me zgjedhje të parakohshme e të jashtëzakonshme, pasi që nga shpallja e pavarësisë zgjedhjet në Kosovë kanë qenë të tilla.

I pyetur me faktin se si verifikohen kandidatët, që do të garojnë në zgjedhje, nisur nga debati i hapur ditëve të fundit se personat që janë dënuar për vepra të ndryshme penale nuk mund të kandidojnë për deputetë, z. Elezi solli në vëmendje zgjedhjet e 2017 ku me gjithë vendimin e KQZ-së për të përjashtuar nga gara 90 kandidatë si të papërshtatshëm, Gjykata e Lartë kishte vendosur t’i rikthente në garë me arsyetimin se duhet një dënim me vendim të formës së prerë që ta përjashtojë një individ nga e drejta për të kandiduar.

“Në zgjedhjet lokale të 2017, KQZ-ja kishte decertifikuar rreth 90 kandidatë që më parë ishin certifikuar për marrë pjesë në zgjedhje. KQZ-ja mori këtë vendim për të zbatuar Ligjin për përshtatshmërinë e kandidatëve që duhet të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ndaj këtij vendimi të KQZ-së një kandidat ishte ankuar dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë që kishte vendosur se askujt s’i mohohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje nëse nuk ka një vendim i formës së prerë që i përjashton nga e drejta për të kandiduar. KQZ-ja ka zbatuar këtë vendim”, tha zëdhënësi i KQZ, teksa shtoi se pritet zbardhja e vendimit të plotë të Kushtueses për të parë edhe detyrimet, që ka KQZ-ja në organizmin e zgjedhjeve.