Kurti pas takimit me Abazoviqin: Nënshkruam marrëveshje të rëndësishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për medie me homologun malazez, Dritan Abazoviq, ka folur për marrëdhëniet e mira ndërmet dy vendeve, derisa ka vlerësuar lartë marrëveshjen e nënshkruar.

“Marrëveshja me Malin e Zi, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e kohës së fluturimit për 15 minuta”, ka thënë Kurti.

“Marrëveshja për aviacionin civil është shumë e rëndësishme. Një kompani ajrore që ka fluturuar 4 herë në ditë me këtë marrëveshje e shton edhe një fluturim”.

“Deri më tani korridoret shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake, derisa fluturimet komerciale nuk realizoheshin. Por, me marrëveshjen që nënshkruam sot hapet mundësia e fluturimeve për kompanitë ajrore”.

Kurti tha se kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi vitin e fundit dhe se gjatë vitit 2022 mbi gjysmë-milion të qytetarëve janë regjistruar si hyrje dalje mes Kosovës e Malit të Zi.

Sa për takimin ai tha se “biseduam për bashkëpunimin rajonal” dhe se “na gëzon fakti që Mali i Zi ka ratifikuar marrëveshjet në kuadër të procesit të Berlinit”.

“Biseduam për projektet e përbashkëta, sikurse lehtësimi i kalimit të pikave kufitare, për transportin e mallrave dhe dinamizmin për bashkëpunimin në ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë”.