Zelensky i kërkon Irlandës të ushtrojë presion ndaj BE-së për sanksione më të rrepta ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar Irlandës që të ushtrojë presion mbi Bashkim Evropian për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.

Këtë kërkesë, Zelensky e bëri në një fjalim virtual në parlamentin irlandez, teksa tha se nuk mund të tolerojë pavendosmëri, pas asaj që kanë bërë trupat ruse.

Tutje, Zelensky tha se duhet të bindin edhe disa nga kompanitë evropiane që ta braktisin tregun rus.

“Ne ende duhet të bindim politikanët e huaj se duhet të ndërpresim çdo lidhje të bankave ruse me sistemin financiar global. Ne ende duhet të bindim Evropën se nafta ruse nuk mund ta ushqejë makinën ushtarake ruse”, tha ai, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Kujtojmë se Komisioni Evropian propozoi të martën një paketë të pestë sanksionesh kundër Rusisë, e cila synon ta godas edhe më shumë ekonominë ruse.

Masat e propozuara përfshijnë një ndalim të importit të qymyrit nga Rusia me vlerë 4 miliardë euro në vit.