Zelensky: Ushtria ruse ka nisur ofensivën për Donbasin

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Rusia ka nisur ofensivën e gjerë në rajonin e Donbasit.

Mediat ukrainase kanë raportuar më 19 prill për bombardime të fuqishme në rajonin Donjeck, përkatësisht në Marinka, Sllavjanska dhe Kramatorsk.

“Ne mund të konfirmojmë tani se trupat ruse kanë nisur betejën për Donbasin, të cilën e kanë përgatitur për kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e ushtrisë ruse tani është e dedikuar në këtë ofensivë”, ka thënë Zelensky në llogarinë e tij në Telegram më 18 prill.

“Nuk ka rëndësi sa trupa ruse janë dërguar atje, ne do të luftojmë. Ne do të mbrojmë veten. Do ta bëjmë këtë çdo ditë”, ka thënë ai.

Zelensky ka falënderuar mbrojtësit ukrainas, të gjitha qytetet e Donbasit, përfshirë Mariupolin, por edhe qytetet në rajonin e Harkivit, të cilat “mbrojnë fatin e gjithë shtetit”.

Zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë thënë më herët se Rusia duket se ka nisur ofensivë të re, pas një serie të sulmeve me raketa në infrastrukturë ushtarake në qytetin perëndimor të Lvivit, si pasojë e të cilave kanë vdekur të paktën shtatë njerëz.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se ka parë “shenja të një ofensive të re në rajonin lindor” dhe në fokus duket se janë rajonet e Harkivit dhe Donjeckut.

Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, ka raportuar po ashtu për ofensivën.

“Ne humbëm kontrollin e qytetit Kremina. Ka luftime në rrugë”, ka thënë ai, duke përmendur se evakuimet nuk janë më të mundshme.

“Çdo orë situata po përkeqësohet”.

Përveç shtatë të vrarëve në Lviv, 11 të tjerë janë dërguar në spital për trajtim, kanë thënë zyrtarë qeveritarë të Lvivit më 18 prill.

Lvivi dhe pjesa tjetër perëndimore e Ukrainës është prekur më pak nga sulmet, në krahasim me pjesën tjetër të shtetit.

Rusia ka thënë se përmes sulmeve në Lviv ka shkatërruar një depo të madhe me armë të huaja, që janë dërguar së fundi në Ukrainë.

Aeroplanët rusë kanë goditur qendrën ukrainase të logjistikës “ku ka pasur armë të huaja, të dërguara në Ukrainë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane në gjashtë ditët e fundit” dhe “i kanë shkatërruar ato”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Ai ka thënë se municioni është shkatërruar edhe në rajonin e Kievit.