Zemaj njofton se së shpejti do ta krijojnë spitalin anti-Covid, me kapacitet deri 500 shtretër

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se përvec ndihmave nga shtetet tjera, po vazhdojnë të rrisin kapacitetet, kështu duke njoftuar se së shpejti do ta krijojnë spitalin anti-Covid me kapacitet prej 450 – 500 shtretër me standardet më të reja.

Zemaj gjatë ditës së sotme është takuar me ambasadorin italian, Nicolas Orlando, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e dhënë.

Njoftimi i plotë:

Në vazhdën e mbështetjes që po merr Ministria e Shëndetësisë dhe shëndetësia e Kosovës mirëpresim atë të rradhës nga shteti mik i yni, Italia, ku tashmë arritën profesionistët shëndetësor që do të angazhohen në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës/ SHSKUK, me përvojën e tyre për të na ndihmuar në menaxhimin e situatës epidemiologjike.

Për këtë, javë më parë ne kemi bërë kërkesë të veçantë, si dhe marrëveshje përkatëse me palën italiane për çka falënderoj ambasadorin Nicolas Orlando dhe shtetin mik të Italisë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën në çdo kohë.

Po ashtu vlen të theksohet se përveç ndihmës së ekspertëve italian dhe miqve të tjerë ndërkombëtar, ne po vazhdojmë të rrisim kapacitetet, po aktivizojmë klinika të caktuara me infrastrukturën e nevojshme.
Së shpejti do ta krijojmë spitalin ANTI COVID me kapacitet prej 450 – 500 shtretër me standardet më të reja.

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe stinës së vjeshtës ne po bëhemi gati të ballafaqohemi me çdo skenar.
Andaj, Kosova është jashtëzakonisht me fat që ka miq dhe partner në këtë rrugëtim!